Kushtrimi
  Dokumente për shenjat e Zotit
 

 

Shkencëtartët vërtetojnë shenjat e zotit

Zbulimet shkencore mbi gjithë-sinë flasin për ekzistencën e Zotit. Shkenca na udhëheq në përfundimin se gjithësia ka një Krijues, i Cili është i përkryer në fuqi, urtësi e dituri. Është feja ajo që na tregon rrugën për njohjen e Zotit. Për këtë arsye, është e mundur të thuhet se shkenca është një metodë që përdorim për të njohur dhe hulumtuar më mirë të vërtetat, për të cilat bën fjalë feja.

Megjithatë, në ditët e sotme, disa nga shkencëtarët që flasin në emër të shkencës mbajnë një qëndrim plotësisht të ndryshëm. Sipas pikëpamjes së tyre, zbulimet shkencore nuk e përfshijnë krijimin e Zotit. Përkundrazi, ata kanë formuar një konceptim ateist të shkencës, duke deklaruar se nuk është e mundur të arrihet tek Zoti nëpërmjet të dhënave shkencore. Shkurt, ata pretendojnë se feja dhe shkenca janë dy nocione në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Në të vërtetë, kjo mënyrë e të kuptuarit të fesë është tejet e re. Deri pak shekuj më parë, shkenca dhe feja nuk mendoheshin kurrë të përplaseshin me njëra-tjetrën dhe shkenca pranohej si një metodë për të provuar ekzistencën e Zotit. I ashtuquajturi konceptim ateist i shkencës lulëzoi vetëm pasi filozofitë materialiste dhe pozitiviste u shtrinë në botën e shkencës në shekujt e 18-të dhe 19-të.

Pasi Çarls Darvin prezantoi Teorinë e Evolucionit më 1859, qarqe që bartnin një pikëpamje materialiste për botën nisën ta mbrojnë ideologjikisht këtë teori, të cilën e panë si një alternativë në vend të fesë. Teoria e evolucionit pretendon se gjithësia nuk është krijuar nga një krijues, por ka ardhur në ekzistencë rastësisht. Për pasojë, u shpall se feja është në kundërshtim me shkencën. Shkencëtarët britanikë Maikëll Baigent, Riçard Lei dhe Henri Linkoln u shprehën kështu mbi këtë çështje:

Për Isak Njutonin, një shekull e gjysmë përpara Darvinit, shkenca nuk ishte e ndarë nga feja. Përkundrazi, ajo ishte një aspekt i fesë dhe në fund të fundit i shërbente e i nënshtrohej asaj... por shkenca e kohës së Darvinit mori formën e saj duke u ndarë nga konteksti, në të cilin kishte ekzistuar më parë dhe duke u shndërruar në kundërshtare absolute dhe në një depozitë alternative mendimi. Si pasojë, feja dhe shkenca pushuan së punuari në harmoni dhe iu kundërvunë njëra-tjetrës, ndërsa njerëzimi u shtrëngua gjithmonë e më tepër të zgjedhë mes të dyjave.

Sikurse thamë më parë, e ashtuquajtura çarje mes shkencës dhe fesë ishte tërësisht ideologjike. Disa shkencëtarë që besonin me zell në materializëm, e kushtëzuan vetveten të argumentojnë se gjithësia nuk ka një krijues dhe trilluan teori të ndryshme për këtë qëllim. Teoria e evolucionit ishte më e njohura dhe më e rëndësishmja ndërmjet tyre. Edhe në fushën e astronomisë, gjithashtu, u zhvilluan ide si "teoria e gjendjes statike" apo "teoria e kaosit". Sidoqoftë, të gjitha këto teori që mohonin krijimin u rrëzuan nga vetë shkenca.

Sot, shkencëtarët që ende mbahen pas këtyre teorive dhe këmbëngulin në të mohuarit e gjithçkaje fetare, janë dogmatikë dhe fanatikë, të vetëkushtëzuar për të mos besuar në Zot. Zoologu i famshëm dhe evolucionisti anglez Watson e pranon këtë dogmatizëm ndërsa sqaron se përse ai dhe kolegët e tij e pranojnë teorinë e evolucionit:

Teoria e Evolucionit është një teori e pranuar universalisht, jo për arsye se mund të provohet si e vërtetë përmes argumentimit të arsyeshëm e koherent, por sepse alternativa e vetme: krijimi i veçantë, është krejtësisht i pabesueshëm.

Ajo që Watson kupton me "krijim të veçantë" është krijimi hyjnor. Sikurse pohon, ky shkencëtar e sheh atë si të "papranueshëm". Po për ç'arsye? Për arsye se kështu imponon shkenca? Në të vërtetë, shkenca nuk imponon diçka të tillë. Përkundrazi, shkenca provon të vërtetën e krijimit. E vetmja arsye, për të cilën Watson e sheh këtë të vërtetë si të papranueshme është se ai e ka kushtëzuar vetveten për ta mohuar ekzistencën e Zotit. Të gjithë evolucionistët e tjerë i përkasin këtij qëndrimi.

Evolucionistët nuk mbështeten në shkencë, por në filozofinë materialiste. Ata e shtrembërojnë shkencën që të përputhet me këtë filozofi. Një gjenetist dhe evolucionist i njohur i universitetit të Harvardit, Richard Levontin, e pranon këtë të vërtetë:

Nuk është puna se metodat apo institucionet e shkencës, në ndonjë mënyrë, na shtrëngojnë të pranojmë një shpjegim material të botës së dukurive, por përkundrazi, ne jemi të detyruar për shkak të pranimit tonë "a priori" të shkaqeve materiale për të krijuar një aparat hulumtimi dhe një grupim konceptesh që prodhojnë shpjegime materiale, pavarësisht se sa kundër intuitës mund të jenë, pavarësisht se sa mistifikues mund të ngjajnë. Për më tepër, materializmi është absolut, kështuqë ne nuk mund të lejojmë Këmbën Hyjnore të shkelë në prag.

Nga ana tjetër, sot, njëlloj si në historinë e shkuar, ka shkencëtarë që, si kundërshtarë të këtij grupi materialist dogmatik, pohojnë ekzistencën e Zotit dhe e shohin shkencën si një mënyrë për ta njohur Atë. Disa prirje të zhvilluara në SHBA si "Kreacionizmi" apo "Projektimi Inteligjent" argumentojnë nëpërmjet provave se të gjitha qeniet e gjalla janë krijuar nga Zoti.

Kjo na tregon se si shkenca dhe feja nuk janë burime të kundërta informacioni, por, përkundrazi, shkenca është metoda që pohon të vërtetat absolute të siguruara nga feja. Përplasja mes fesë dhe shkencës mund të jetë e vërtetë për disa besime që mishërojnë shumë elementë bestytnish krahas burimeve hyjnore. Sidoqoftë, kjo është jashtë diskutimit për Islamin që mbështetet vetëm në shpalljen e pastër të Zotit. Për më tepër, Islami mbështet kërkimet shkencore dhe shpall se hulumtimi i gjithësisë është një mënyrë për të njohur krijimin e Zotit. Vargu i mëposhtëm nga Kurani trajton një çështje të tillë:

A nuk e kanë parë qiellin mbi ta, si e kemi ndërtuar e zbukuruar? Në të nuk mund të gjesh asnjë të çarë! Tokën e kemi shtrirë dhe kemi vendosur në të male të qëndrueshme dhe kemi bërë që ajo të nxjerrë bimë të mrekullueshme në çift. Nga qielli zbritëm ujë të bekuar, me të cilin rrisim kopshte e drithë për t'u korrur dhe pemë të larta hurmash, me vile të vendosura njëra mbi tjetrën. (Sure Kaf, 6-7, 9-10)

Sikurse lënë të kuptohet vargjet e mësimpërme, Kurani i nxit gjithmonë njerëzit të mendojnë, të arsyetojnë dhe të hulumtojnë gjithçka në botën ku jetojnë. Për arsye se shkenca mbështet fenë, ajo e shpëton individin nga padituria dhe e bën atë të mendojë në mënyrë më të ndërgjegjshme.

Ajo e hap botën e mendimit të njeriut dhe e ndihmon të prekë shenjat e dukshme të krijimit të Zotit në natyrë. Fizikanti gjerman Maks Plank shkruan:

"Kushdo që është marrë seriozisht me punë shkencore të çdo lloji e kupton se në hyrjen e portave të tempullit të shkencës janë shkruar fjalët: Duhet të kesh besim! Kjo është një cilësi, pa të cilën shkencëtari nuk mund t'ia dalë mbanë."

Ekzistenca e gjithësisë dhe e qenieve të gjalla nuk mund të shpjegohet përmes rastësive. Shumë shkencëtarë që kanë lënë gjurmë në botën e shkencës e kanë pohuar dhe e pohojnë këtë të vërtetë të madhe.

Sa më shumë që njerëzit mësojnë për gjithësinë, aq më i madh bëhet admirimi i tyre për sistemin e saj të përkryer. Çdo hollësi e re e zbuluar mbështet krijimin në mënyrë të padiskutueshme.

Shumica dërrmuese e fizikantëve bashkëkohorë pranojnë të vërtetën e krijimit, ndërsa kemi hyrë në shekullin e 21-të. David Darling, gjithashtu, pohon se as koha, as lënda, as energjia, as edhe një njollë a vrimë nuk ka ekzituar në fillim. Një lëvizje e shpejtë dhe e lehtë, një dridhje dhe një fluks i thjeshtë. Darling përfundon duke thënë se kur kapaku i kësaj kutie kozmike u hap, fijet e mrekullisë së krijimit u shfaqën mes saj.

Përveç kësaj, dihet tashmë se thuajse të gjithë themeluesit e degëve të ndryshme të shkencës besonin në Zotin dhe në librat e Tij hyjnorë. Fizikantët më të mëdhenj në histori, Njutoni, Faradei, Kelvini e Maksuelli janë vetëm disa nga shembujt. Në kohën e fizikantit të madh, Isak Njutonit, shkencëtarët besonin se lëvizjet e trupave qiellorë dhe planetëve mund të shpjegoheshin përmes ligjesh të ndryshme. Njutoni, megjithatë, besonte se krijuesi i tokës dhe i hapësirës ishte i njëjtë, prandaj dhe, sipas tij, lëvizjet e tyre duheshin shpjeguar përmes ligjeve të njëjtë. Ai thoshte:

Ky sistem kaq i bukur i diellit, planeteve e kometave mund të ruajë vazhdimësinë vetëm nën urdhërat dhe zotërimin e një Qenieje të ditur e të fuqishme. Kjo Qenie qeveris gjithçka, jo si shpirt i botës, por si Zot mbi gjithçka, për llogari të pushtetit të Vet. Ai e meriton të quhet Zoti, Sunduesi i Gjithësisë.

Siç dihet, mijëra shkencëtarë që kanë bërë kërkime në fushat e fizikës, matematikës dhe astronomisë që nga Mesjeta, janë në një mendje me idenë se gjithësia është krijuar nga një Krijues i vetëm dhe gjithmonë përqendrohen në të njëjtën pikë. Themeluesi i astronomisë fizike, Kepler, deklaroi besimin e tij të fuqishëm në Zot në një nga libart e tij, ku shkruan:

Përderisa ne, astronomët, jemi priftë-rinjtë e më të lartit Zot në lidhje me librin e natyrës, na takon të mendojmë jo për lavdinë e mendjeve tona, por, mbi të gjitha, për lavdinë e Zotit. (Dan Graves, Scientists of Faith, 51)

Fizikanti i madh, Uilliam Tomson (Lord Kelvin), që themeloi termodinamikën në një bazë formale shkencore, gjithashtu e besonte Zotin. Ai i ishte kundërvënë fuqishëm teorisë së evolucionit të Darvinit dhe e kishte mohuar plotësisht atë. Në vitin 1903, pak kohë para vdekjes, ai deklaroi në mënyrë të palëkundur se "në lidhje me prejardhjen e jetës, shkenca... pohon pozitivisht fuqinë krijuese."

Një nga profesorët e fizikës në universitetin e Oksfordit, Robert Mateus, deklaron të njëjtin fakt në librin e tij, botuar në vitin 1992, ku sqaron se molekulat e ADN-së janë krijuar nga Zoti. Mateus thotë se të gjithë stadet vijojnë në harmoni të përkryer nga një qelizë e vetme deri te një foshnje e gjallë, më pas te një fëmijë i vogël dhe së fundi te një adoleshent. Të gjitha këto ngjarje mund të shpjegohen vetëm përmes një mrekullie, sikurse në të gjitha stadet e tjera të biologjisë. Ai shtron pyetjen se si mundet një organizëm kaq i përkryer e i ndërlikuar të lindë nga një qelizë e thjeshtë dhe e vetme dhe se si mund të krijohet një NJERI madhështor nga një qelizë më e vogël se pika e një i-je.



Disa shkencëtarë të tjerë që pranojnë se gjithësia është krijuar nga një Zot dhe që janë të njohur e vlerësuar për zbulimet apo punimet e tyre janë:

Robert Boil
(babai i kimisë bashkëkohore)

Iona Uilliam Peti
(i njohur për studimet e tij mbi statistikat dhe ekonominë bashkëkohore)

Maikëll Faradei
(një nga fizikantët më të mëdhenj të të gjitha kohërave)

Gregori Mendel
(babai i gjenetikës; ai zhvlerësoi Darvinizmin me zbulimet e tij në shkencën e gjenetikës)

Lui Paster
(emri më i madh në bakteriologji; ai i shpalli luftë Darvinizmit)

Xhon Dalton
(babai i teorisë atomike)

Paskali
(një nga matematikanët më të spikatur)

Xhon Rei
(emri më i rëndësishëm në historinë natyrore britanike)

Nikolaus Steno
(stratigraf i famshëm që hulumtoi shtresat e tokës)

Karolus Lineus
(babai i klasifikimit biologjik)

Xhorxh Kuvier
(babai i anatomisë krahasuese)

Mathju Mauri
(babai i oqeanografisë)

Tomas Anderson
(një nga pionierët në fushën e kimisë organike).
 
 
  Today, there have been 1 visitors (2 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free