Kushtrimi
  Disa Fakte Mbi Kosoven
 

 

DISA FAKTE MBI KOSOVËN
 
 
PARATHËNIE
 
Përkitazi me kërkesën për ta ndriçuar çështjen aktuale për të vërtetën e Kosovës, i kemi dhënë vetes detyrë që të jemi të sinqertë ndaj asaj se çka do të shkruajmë kur është fjala për ndriçimin e të dhënave të vërteta për këtë trevë.
Mjerisht, deri më tani, pjesa dërrmuese e historiografëve, intelek­tualëve dhe e shkencëtarëve serbë, qysh nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XIX e deri më tani, e kanë ushqyer dhe helmuar popullin e vet me gënjeshtra, iluzione, me plane fantomike dhe të tmerrshme në rrafshin e përpjekjeve të mëdha për të krijuar një fuqi dhe shtet serb, më të fortin në Ballkan, duke zhvilluar pa skru­pull një politikë suisidive për të themeluar një “Serbi të Madhe”, shtetin më të madh në këtë gadishull(!). Për këto qëllime, ata ndërsenin popullin e vet me mashtrime dhe me “fakte” se populli serb pas periudhës turke është ngritur lart si Feniksi nga hiri, i cili tani është duke pritur për t'u hakmarrë kundër shqiptarëve, musli­manëve dhe popujve të tjerë joserbë. Për ta arritur këtë qëllim, historiografët serbë, pa kurrfarë arsye dhe vetëdije, zhvillonin një propagandë politike dhe “shkencore” se qysh tani populli serb duhet t'i zgjerojë kufijtë e territoreve të veta në drejtim të Ballkanit Jugor. Përndryshe, ëndrrat e tyre të kahmotshme kanë qenë dalja në bregdetin e Adriatikut dhe Detit Egje, dhe, së bashku me grekët dhe armenët “ta çlirojnë nga duart e saracenëve Konstantinopojën dhe “vendet e tyre të shenjta” në Azinë e Vogël”.
Ky qëllim i serbëve sheshazi dëshmon për faktin e zhvillimit të politikës së LEBENSRAUMIT (gjerman.hapësirë jetese) në Ball­kan, por harrohet fakti se ky popull ka qenë nën dominimin turk plot pesë shekuj e më tepër, si strukturë e popullsisë inferiore, duke pasur statusin e rajës ose vasale. Në çdo mënyrë, është dukuri e gjallë se deri në ditët tona populli serb (bile, magjoranca) është i ngarkuar me një kompleks inferioriteti ndaj turqve (muslimanëve), dhe përkitazi me këso mendime të çoroditura, mundohet të lirohet nga ky kompleks inferioriteti duke bërë çmos për ta treguar superi­oritetin e tij ndaj kombeve të tjera dhe fqinje dhe duke zhvilluar koncepcionin se populli serb në Ballkan, “pa kurrfarë dyshimi”, është populli më i fortë në këto treva(?!). Një edukim i tillë, me kohë ka krijuar një vetëdije dhe psikologji të rrejshme kolektive tek shumica e popullit serbo-malazez, gjë që është vetëm një refleks i frikës dhe inferioritetit të tij ndaj popujve joserbë, sidomos ndaj muslimanëve. Ndaj, si shprehje e një psikologjie kolektive të tyre, prej gjysmës së dytë të shekullit XIX e deri më sot, kanë dalë pjellat si Garashanini, Cvijiqi, Radovanoviqi, Gjorgjeviqi, Duçiqi, Moleviqi, D. Jovanoviqi, D. Mihailoviqi, V. Çubriloviqi, krye­mi­nistri serbian Milosheviq, Shesheli, Karaxhiqat e shumë të tjerë, në skenat politike me epshe hienash, duke derdhur gjakun e fëmijëve të pafajshëm dhe të popujve joserbë: boshnjak, shqiptar, kroat, turk, etj. Sa u takon luftërave “të fituara të tyre”, dihet mirë se për ta kanë luftuar aleatët e tyre: francezët, anglezët, rusët (1912-1945). E tani, përdoren të gjitha mjetet e informacioneve propa­gan­distike dhe literatura të shkruara nga ana e pushtetit serb, armatës serbe, por edhe nga autoritetet tjera, se forcat e armatosura serbe aktualisht zënë vendin e katërt në Evropë (me të vërtetë bëhen qesharakë para botës).!!!
Një popull si ky, sidomos struktura intelektuale, përhap koncep­ci­onin mitologjik se ky komb është martirizuar nga Lufta e Kosovës më 1389, i cili, bile aty e ka fituar betejën kundër turqve (sic), por edhe më vonë, “i ka fituar të gjitha betejat kudo që janë zhvilluar në Ballkan”(?!). Bazuar në këtë, populli serb i takon “një populli hyjnor”, i cili “e ka gjakun e shenjtë” “historinë e shenjtë”, “tokën e shenjtë”, “kufijtë e shenjtë”, etj., dhe këso marri­nash që nuk mund të hasen në botën bashkëkohore. Këto ide dhe mendime që nuk kanë të bëjnë aspak me të vërtetën, fillimisht dhe gjatë shekujve janë përkrahur dhe ndihmuar nga Kisha Funda­mentaliste Ortodokse Serbe, në atë masë saqë si të tilla, popullin serb fare e kanë hutuar deri në ditët tona. Krahas kësaj, edhe admi­nis­trata dhe pushtetet e kaluara serbe, pa pra, kanë zhvilluar politika intrigante dhe kanë futur armiqësi ndërmjet popujve ballkanikë, deri në atë shkallë saqë vetë serbët i ka bërë përgjegjës për Luftën e Parë dhe të Dytë Ballkanike, si dhe për Luftën e Parë Botërore. Një politikë e tillë e fëlliqtë dhe amorale ishte shkaku kryesor për krijimin e turbullirave dhe krimeve të papara në Evropë gjatë luftërave të përmendura, sidomos të drejtuara kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë muslimanë në trevat e ish-Jugosllavisë dhe më gjerë në Ballkan, kështu që kjo gjendje vazhdon edhe në ditët tona në Bosnjë, Kosovë dhe Sanxhak.
Në fund, derisa gjeneratat e ardhshme serbe nuk do të lirohen dhe shkarkohen nga këto ide marroçe ultrashoviniste dhe joreale, të cilat, ndryshe, deri më tani me përpikëri i kanë zbatuar gjatë periudhave të përmendura, serbët do të jenë fajtorë, pa kurrfarë dyshimi, edhe për trazirat dhe krimet e mundshme që do të pasonin në Ballkan.
 
Disa fakte mbi Kosovën

Hyrje
 
Rajoni i Kosovës shtrihet në pjesën juglindore të ish-Jugosllavisë duke qenë më parë në kuadër të Serbisë si Krahinë Autonome, me cilësi dhe karakter të njësisë së drejtpërdrejtë në strukturën federale të ish-Jugosllavisë. Territori administrativ përfshin rreth 10.908 km2, ku jeton një popullsi prej rreth 2,300.000 banorë (përçmim i vitit 1993, prej së cilës 90% janë shqiptarë) e vendosur në 1.438 vendbanime. Territori i Kosovës përfshinte 4,25% të territorit të ish-Jugosllavisë, respektivisht 12,32% të Serbisë.
Kosova kufizohet me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe me Sanxhakun, krahinë e përbërë me 86% të popullatës muslimane, por e cila prej vitit 1945 është ndarë në dy pjesë: në pjesën serbiane dhe në atë malazeze, kuptohet, për arsye të ndarjes së një pjese kompakte muslimane në dy pjesë.[1]
Kosova ka një pozitë shumë të përshtatshme gjeografike përkitazi me drejtimet e brendshme natyrore në Gadishullin Ballkanik, duke zënë pjesën qendrore të këtij gadishulli. Nëpër territorrin e saj kalojnë dy drejtime dhe rrugë kryesore, përgjatë të të cilave, në të kaluarën ushtroheshin lidhjet dhe ndikimet etnike, ushtarake, ekonomike dhe kontaktet tjera, duke e shndërruar këtë territor në një zonë transitore. Drejtimi i parë natyror lidhte veriun dhe jugun (p.sh. Beogradin 360 km, Shkupin 86 km, Selanikun 270 km); ai i dyti lidhte lindjen dhe perëndimin, duke lidhur bregdetin e Detit të Zi (p.sh. Sofja 270 km, Varna 570, Stambolli 860 km) me atë të Adriatikut. Ky drejtim ende nuk është shfrytëzuar në masë të duhur, sidomos për Shqipëri (p.sh. për Tiranë 280 km, për Durrës 320 km, etj.) dhe bregdetin e saj. Këto dy lidhje natyrore takohen afër Prishtinës, kryeqendër e Kosovës (me rreth 230.000 banorë), ku krijohet një zonë udhëkryqe.
 
Disa të dhëna gjeografike për Kosovën
 
Kosova paraqet një hapësirë gjeografike heterogjene. Zona e fushëgropave përbën rreth 36,5% të sipërfaqes së tërësishme, ku dallohet Rrafshi i Kosovës (me lartësi mesatare prej 550 m), ai i Dukagjinit (me 330m), dhe luginat e lumenjve Llab, Kriva Rekë, Ibër dhe Morava e Sipërme. Rreth 37% të sipërfaqes së Kosovës i takojnë zonës malore, në pjesën perëndimore shtrihen Bjeshkët e Nemuna (maja Gjeravica, 2.656m), në jugperëndim shtrihet Sharri (maja Bistra, 2.640m), kurse në anën veriore shtrihen Malet e Kopaonikut (2.000m) dhe në anën jugore shtrihet Karadaku i Shkupit (1.650m). Ndërmjet Kosovës dhe Dukagjinit shtrihet një zonë kodrinore-malore e cila i ndanë këto dy basene. Në për­gjithë­si, Kosova ka një klimë më kontinentale se Dukagjini. Në rajonet malore mbizotëron klima alpike.
Lumenjtë më të mëdhenj të Kosovës janë: Ibri, Drini i Bardhë, Lepenci, Sitnica dhe Morava e Binçës. Drini i Bardhë derdhet në Detin Adriatik, Ibri dhe Morava e Binçës në Detin e Zi, ndërsa Lepenci në Detin Egje. Liqenet artificiale janë: Gazivoda afër Mitrovicës, Batllava dhe Graçanica afër Prishtinës të cilat janë krijuar për nevojat e centraleve elektrike në Obiliq, për furnizimin e Prishtinës, Mitrovicës dhe të disa qendrave të tjera urbane me ujë, dhe për ujitjen e tokës.
Burimet termale paraqesin një begati natyrore të Kosovës ku ndër banjat më të shquara janë Ilixha afër Pejës, Kllokoti afër Gjilanit dhe Banjska afër Mitrovicës.
Flora dhe fauna po ashtu paraqesin një pasuri me veçanti natyrore të Kosovës. Zonat pyjore përbëhen nga drunjtë e ahut, bungut, drunjtë halorë dhe gështenjat. Disa bimë kanë karakter endemik. Rajonet malore janë të pasura me kafshë dhe shpezë të egra: macja e egër (Lynx), arriu i murmë, kaprolli, sorkadhja, derri i egër, lepuri i egër, pula e malit, thëllënza, etj.
Kosova disponon me një strukturë komplekse gjeologjike, me shkëmbinj magmatikë, sedimentarë dhe metamorfikë të të gjitha periudhave gjeologjike. Shtresat minerare të Kosovës kanë qenë të njohura qysh prej para 2.000 vjetësh. Ilirët, keltët dhe romakët këtu kanë nxjerrë plumb dhe argjend, në Kopaonik dhe Karadak. Kosova në ish-Jugosllavinë përmbante rezerva të mëdha të disa xeheve: 38% të thëngjillgurit, 56% të plumbit dhe zinkut, 47% të magnezit, 50% të niklit. Trepça afër Mitrovicës është një nga minierat më të mëdha të zinkut dhe plumbit në botë, kurse shtresat e linjitit shtrihen në Obiliq afër Prishtinës. Depozitimet e mëdha të linjitit, nxjerrja e tyre dhe përpunimi i energjisë elektrike në kuadër të ndërmarrjes “Kosova”, paraqesin një kombinat më të madh në vend i cili ishte më i madhi në ish-Jugosllavi.
 
Prezentimi i shkurtër e ngjarjeve historike
 
Zbulimet arkeologjike na tregojnë se në trevën e Kosovës kanë jetuar bashkësitë njerëzore të kohës së gurit. Më vonë, fillimisht prej mileniumit të dytë para erës së re, hapësira e Ballkanit ka qenë e banuar prej Ilirëve (stërgjyshërit e shqiptarëve). Në Kosovë dhe më gjerë jetonin Dardanët, një prej fiseve ilire. Pas ndarjes së Perandorisë Romake (395 të erës së re) dhe deri në fund të she­kullit XII në Ballkan sundonin bizantinët (rreth 850 vjet), pas tyre bullgarët të cilët në kuadër të shtetit të Samuilos ishin sundues të Ballkanit. Më 1018 të erës së re, perandori bizantin Vasilisi i Dytë, në luftën që e zhvilloi, e mundi armatën bullgare kështu që përsëri bizantinët u bënë sundues të Ballkanit. Gjatë shekullit XII bullgarët përsëri e përtërinë perandorinë e tyre dhe më 1235 Kisha Bullgare shpallet si autoqefale, gjë e cila qëndron deri në kohën e invadimit të turqve më 1371 kur ushtria bullgare u thye nga turqit.
Serbo-sllavët depërtuan në Ballkan duke u dyndur nga Karpatet, gjatë shekujve VII dhe VIII, dhe duke u vendosur rreth lumit Danub, por në drejtim të jugut ata depërtuan në fund të shekullit X. Duke filluar nga viti 983 i erës së re, territoret serbe u aneksuan nga bullgarët, kurse më 1018 territoret serbo-sllave dhe ato bullgare u bënë pjesë të Perandorisë Bizantine. Më 1180 Stefan Nemanja i Serbisë për herë të parë krijoi një shtet sovran serb, dhe më 1219 edhe Kisha serbe u bë autoqefale, gjë që zgjati deri në kohën e invadimit turk në Ballkan më 1371, respektivisht më 1373 territoret serbe u bënë krahina vasale të Perandorisë Turke. Në fund, prej Luftës së Kosovës më 1389 deri më 1918, kur Turqia humbi luftën në Ballkan, gati i tërë Gadishulli Ballkanik ishte pjesë e Perandorisë Osmane.
Tani le t'i përcjellim të dhënat lidhur me ngjarjet historike: Së pari, Kosova, sikurse i tërë shteti serb, 850 vjet ka qenë nën sundimin e Perandorisë Bizantine, pas kësaj, nën bullgarët për një kohë të shkurtër (35 vjet), por prej 1018-1180 territoret bullgare dhe serbe përsëri kanë qenë në duar të Perandorisë Bizantine. Në të vërtetë, serbët kanë sunduar në Kosovë prej 1285-1389, deri atëherë kur territoret serbe përfundimisht pushtohen nga turqit, pushtim ky që zgjati deri në vitin 1918, plot 535 vjet. Shteti i parë serb është krijuar në veri të Kosovës, në territoret e Serbisë së vërtetë (Dukla, Rashka, Zeta), por në shekullin XIII serbët depërtojnë në Kosovë, deri në pushtimet turke më 1389, që do të thotë se serbët kanë sunduar në Kosovë një shekull. Ndaj, këto fakte le të jenë gjith­monë të vërteta për lexuesin! Dhe tani, qysh intelektualët serbë dhe disa historianë kanë fytyrë të qëndrojnë në ato teza se Kosova është djep i kulturës së tyre?(!). Përfundimisht, këtë e bëjnë me përdo­rimin e fakteve të rrejshme historike, ashtu siç edhe janë të njohur si gënjeshtarë pa precedent(!).
Pas depërtimit të turqve në Kosovë u ndërpre procesi i sllavizimit të shqiptarëve (banorët më të hershëm të kësaj ane të Ballkanit), dhe në fillim pjesa dërrmuese e popullit shqiptar e ka ruajtur fenë katolike dhe ortodokse, si dhe emrat, deri në shekullin XVI dhe XVII, kur fillon procesi i islamizimit të tij. Popullata e konvertuar gradualisht fitonte statusin e qytetarëve të barabartë dhe pozita më të mira politike dhe ekonomike. Gjatë periudhës turke, gati gjithmonë populli shqiptar bënte një jetë të lirë, në të vërtetë, falë arsyes së mbështetjes së pushtetit në Ligjin e Sheriatit. Sir Th. Arnold në librin e tij “Përhapja e Islamit” (Londër, 1913) thekson këtë: “Shqiptarët kanë pranuar sundimin turk qysh prej vitit 1423 dhe islamizimi i popullit është përhapur dhe pranuar me dëshirë e jo me masa të detyrueshme”, (p.sh. me krime, dhunime, keqpër­do­rime, ose me ngarkesa të mëdha tatimore mbi popullatën krishtere dhe me detyrime të rënda). Në anën tjetër, procesin e konvertimeve masive të popullit në Islam prej fesë katolike, kleri katolik nuk ka qenë i aftë që ta ndalojë gati askund në qytete, sidomos nëpër fshatra “ku kleri nuk ka qenë në gjendje ta lexojë as Biblën”, por përkundrazi, ulemaja muslimane ishte e butë dhe e arsimuar, e cila përdorte metoda të buta për konvertim të popullit dhe për ta bindur që ta përqafojë fenë islame”. Kështu theksonte Sir Th. Arnold në librin e vet përkitazi me përhapjen e fesë islame në Ballkan. Faktikisht, për ta verifikuar këtë, është e njohur se popullata e islamizuar në Ballkan deri më tani paraqet një minoritet, pos shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë dhe popullatës boshnjake në Bosnjë dhe Sanxhak.(!).
Prej pushtimit të Ballkanit, ky gadishull gati i tërë ka qenë në duart e sunduesve osmanë, i cili më parë ishte i ndarë në dy njësi administrative-territoriale (njësi ushtarake-administrative): në Vila­jetin e RUMELISË, pjesët ballkanike (ku bënte pjesë edhe Koso­va), dhe në Vilajetin e ANADOLISË (Azia e Vogël). Kjo gjendje ishte e tillë deri në shekullin XV. Gjatë shekullit të ardhshëm, Ballkani u nda në dy pjesë administrative-vilajete: në RUMELI, e cila shtrihej prej Stambolli në lindje deri te Mitrovica dhe lumi Ibër në perëndim. Territoret në anën e mëngjër të Ibrit ishin nën admi­nistrimin e vilajetit të BOSNA-HERSEK-ut. Gjatë periudhës turke, e tërë sipërfaqja e Kosovës ishte e organizuar në tri njësi adminis­trative: në SANXHAQE. Kështu, Sanxhaku i Vushtrri-Prishtinës, Sanxhaku i Prizrenit dhe Sanxhaku i Dukagjinit, bashkë me disa territore të Shqipërisë Veriore, me Shkodrën si qendër të San­xhakut, për një kohë të gjatë ishin njësi më të mëdha adminis­trative. Siç theksuam më parë, popullata e islamizuar e Ballkanit mbeti minoritet, por shumë më vonë, jeta perverse u ushtrua nga ana e nacionalistëve serbo-sllavë dhe nga forcat e armatosura, sidomos gjatë periudhës së dekadencës së Perandorisë Osmane (si p.sh. më 1912, 1913, 1916, 1918) mbi popullsinë shqiptare dhe popullatën islame në përgjithësi. Shumë raste të tilla janë dëshmuar kur vriteshin muslimanët, bëheshin dhunime dhe krime nga serbo-sllavët dhe pushteti i tyre gjatë periudhave të theksuara, por edhe më vonë, më 1941, 1943, 1944, 1945, 1991, 1993(!). Të gjitha këto akte barbare ushtroheshin kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve muslimanë të pambrojtur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë periudhës së Titos në Jugosllavinë e tij, por edhe pas Titos(?!). Bëheshin këto krime, thjeshtë, ngase ata nuk ishin popuj serbo-sllavë. Sulmoheshin njerëzit, pasuria e tyre dhe nderi i mijëra muslimanëve. Gratë çnderoheshin, dhunoheshin, kurse fëmijët mbyteshin. Rastet e djegieve të njerëzve për së gjalli kanë qenë skena të shpeshta, sidomos në Bosnjë, në Kosovë, por më parë në Toplicë më 1878 (krahinë e bashkangjitur Serbisë prej asaj kohe), brenda një viti popullata shqiptare qe përzënë krejtësisht nga kjo trevë ku gjendeshin 783 vendbanime muslimane-shqiptare (qytete dhe katunde), në Sanxhak dhe po ashtu në Maqedoni. Së fundi, Bosnja është shembull më i freskët ku janë masakruar rreth 260.000 banorë prej 1991 deri më sot(!).
Tani vendet islamike le ta dinë se prej Kosovës, Bosnjës, Sanxhakut dhe Maqedonisë, deri më tani (gjatë periudhës së pasluftës) me mijëra banorë janë shpërngulur në Turqi (rreth 720 mijë), dhe prej Kosoves përgjithmonë kanë emigruar rreth 270.000, prej Maqedonisë rreth 350.000 dhe prej Sanxhakut rreth 100.000 veta, kështu që Turqia, dasht o padashtë, u bë vendstrehim i asaj mase të njerëzve. Në fund, a është e mundur që vendet islamike të gjitha këto ngjarje t’i vëzhgojnë si spektatorë pa qenë të afta që të ndërmarrin diç rreth ndihmave konkrete shqiptarëve dhe musli­manëve në trevat e ish-Jugosllavisë, të bëjnë diç kundër një fuqie të huaj të egër(?!).
 
Pozita kushtetuese e Kosovës në të kaluarën
 
Territori i Kosovës në kuadër të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë qëllimisht ishte ndarë në tri pjesë administrative për arsye të copëtimit të popullatës shqiptare, e cila ishte dominuese në struk­turën e popullsisë së kësaj treve. Secila pjesë e ndarë e saj ishte në kuadër të një banovine, si p.sh. qytetet Peja, Mitrovica, Gjakova ishin në kuadër të Banovinës së Zetës (Zetska Banovina) me krye­qendër Cetinën; Prishtina, Podujeva, Gjilani në kuadër të Bano­vinës së Moravës (Moravska Banovina) me kryeqendër Nishin kurse Prizreni, Ferizaji, Kaçaniku ishin në kuadër të Banovinës së Vardarit (Vardarska Banovina) me kryeqendër Shkupin.
Pas Luftës së Dytë Botërore, pozita ligjore dhe konstitutive e Kosovës zhvillohej në frymën e raporteve politike brenda Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më parë, prej vitit 1945, pas zgjedhjeve të rrejshme të organizuara nga komunistët serbë e deri më 1968, Krahina e Kosovës u gjend në suazë të Serbisë si Krahinë Auto­nome, me aktin më të lartë ligjor që ishte STATUTI. Të drejtat dhe obligimet e Krahinës ishin të definuara me KUSHTETUTËN e Serbisë.
Ndryshime shumë të vlefshme dhe të rëndësishme lidhur me po­zitën e Krahinës Autonome u bënë me shpalljen e AMENDA­MENTEVE në KUSHTETUTËN e RSF të JUGOSLLAVISË, diku në fund të vitit 1968. Në këto amendamente shprehej në mënyrë të avancuar karakteri, pozita dhe funksioni i Krahinës Autonome, kështu që Kosova “ishte një bashkësi socialiste, demokratike, socio-politike, në të cilën populli punonjës zhvillon vetadmi­nis­trimin social, të përcaktuar me ligjet krahinore si dhe me aktet e tjera që dalin nga raportet shoqërore të përcaktuara me ligjet kra­hinore dhe me aktet tjera të raporteve shoqërore të cilat sigurojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, udhëheqin zhvillimin ekono­mik dhe shërbimet shoqërore, organizojnë pushtetin dhe vetadmi­nistrimin, sigurojnë barabarësinë e kombeve dhe të kombësive, kujdesen dhe përgatisin si dhe organizojnë mbrojtjen e vendit, mbrojnë rendin e përcaktuar me Kushtetutë, si dhe ndërmarrin aktivitete të tjera që janë në interes të përgjithshëm në fushën politike, ekonomike, kulturore dhe zhvillimore të Krahinës”.
LIGJI I PARË KUSHTETUES i KSA të KOSOVËS, si akt më i lartë kushtetues dhe ligjor, duke shprehur në mënyrë cilësore fare të re pozitën dhe rolin e Krahinës, u miratua më 24 shkurt 1969. Me anë të ndryshimeve qenësore të raporteve brenda Federatës Jugosllave dhe në përputhshmëri me KUSHTETUTËN FEDE­RATIVE më 1971, pozita e krahinave autonome (Kosova dhe Vojvo­dina) u përforcua dhe u zgjerua fusha e përgjegjësisë për zhvillimin e tyre vetjak si dhe për zhvillimin e bashkësisë jugosllave, dhe me këtë u përcaktua pjesëmarrja e tyre e drejtpërdrejt dhe e barabartë me republikat e tjera socialiste, duke plotësuar funksionet e Fede­ratës, sidomos ato që i takojnë fushës ekonomike dhe politikës zhvillimore. Përkitazi me këto ndryshime, më 1972 u miratuan Amendamentet e rëndësishme Kushtetuese në LIGJIN KUSHTE­TUES të KSA të Kosovës. Reformat kushtetuese në Jugosllavi u zgjeruan më vonë me nxjerrjen e KUSHTETUTËS JUGO­SLLAVE në shkurt të vitit 1974, dhe me këtë u bënë ndryshime qenësore në pozitat e krahinave autonome. Cilësia e re e karakterit të pozitës së Krahinës është shprehur edhe me Ligjin e Ri, kështu që, më 27 shkurt 1974, për herë të parë, si akt më i lartë i vendit u miratua KUSHTETUTA, e cila ndryshonte nga Ligji i mëparshëm kushtetues, me anë të së cilës rregulloheshin raportet në mënyrë të plotë dhe më adekuate në Krahinë, struktura shoqërore-ekonomike dhe politike e saj, si dhe funksioni dhe organizimi në përgjithësi. Me këtë, amendamentet e Kushtetutës Federale vareshin prej pël­qimit të republikave dhe krahinave.
Tani krahinat marrin pjesë të drejtpërdrejtë në strukturën federa­tive: në DHOMËN FEDERATIVE të Kuvendit të RSF të Jugo­sllavisë ishin zgjedhur nga 30 delegatë nga çdo republikë, kurse nga krahinat autonome nga 20 delegatë. Në Dhomën e Republikave dhe të Krahinave, republikat dhe krahinat ishin të përfaqësuara me nga 12 dhe 8 delegatë, respektivisht KRYESIA e RSF të JUGO­SLLAVISË përbëhej prej nga një anëtar nga çdo republikë dhe krahinë; në KËSHILLIN EKZEKUTIV FEDERATIV republikat kishin nga 3 anëtarë kurse krahinat nga dy.
Funksionet plotësuese në të gjitha fushat shoqërore-ekonomike dhe politike, nëse ekzistonte interesi i përbashkët, ishin të përcaktuara nga administratat republikane dhe krahinore. Kushtetuta përcak­ton­te procedurën për ligjet plotësuese me anë të të cilave rregu­llo­heshin problemet e raporteve konform këtyre funksioneve, por me aprovimin e barabartë në pjesëmarrje të të gjitha subjekteve të administratës republikane dhe krahinore. Ligjet që nxirreshin nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, bëheshin të vlefshme me apro­vimin e kuvendeve të krahinave autonome.
Në suazat e raporteve Krahinat-Republika e Serbisë, ishte me rën­dësi të veçantë roli i krahinave autonome në procedurën e çdo ndryshimi të Kushtetutës së Serbisë. Për amendamentet në kush­tetutën republikane që propozoheshin më parë kërkohej pëlqimi i krahinave autonome. Kjo do të thotë: nuk do të pranohej asnjë amendament që i takonte republikës si tërësi (bashkë me krahinat autonome) më parë, as që mund të inicoheshin, pa pëlqimin e kuvendeve krahinore.
Kështu ishte praktika e jetës derisa në krye të Partisë Komuniste dhe të Shtetit gjendej diktatori Tito, dhe për këtë arsye, kush kishte atëherë guxim t'u kundërvihet planeve të tij dhe ta ngrente zërin për vërejtje që do t'u bëheshin vendimeve të Titos? Askush, kurrë, sidomos nga ana e komunistëve serbë. Urrejta ndaj Titos ishte një gjë shumë sekrete për secilin komunist, në asnjë vend e shprehur, por përkundër, loja e kinse lojalitetit ndaj tij luhej deri në fund. Askush nga strukturat e ndryshme në hierarkinë e subjekteve ko­muniste nuk ishte më i devotshëm dhe më i përulur ndaj Titos se komunistët serbë, duke filluar prej autoriteteve lokale e deri te strukturat federative. Flasim me fakte duke e njohur mirë situatën, se Tito në fushën e aktiviteteve si lider i Partisë Komuniste dhe i pushtetit, në forcat e armatosura, shërbimet sekrete, në diplomaci, kishte gjetur njerëz më të besueshëm, pikësëpari te serbët. P.sh. në forcat e armatosura 76% e oficerëve ishin serbë dhe malazezë, duke i lënë anash përfaqësuesit e popujve të tjerë, në shërbimet sekrete dhe polici 90% ishin serbë e malazezë, gjë e cila u mundësoi komunistëve serbë t'i shfrytëzojnë privilegjet më të mëdha brenda sistemit komunist, thënë më mirë, kanë pasur mun­dësi t'i grabisin të gjitha privilegjet. Gjatë kësaj periudhe bëheshin gabime të hatashme me efekte të dëmshme, sidomos gjatë viteve 1944-1946, kur u zhvillua fushata e njohur kundër popujve të tjerë të Jugosllavisë, e cila kinse për qëllim kishte “luftën kundër ar­miqve të brendshëm”. Gjatë kësaj periudhe e deri në Mbledhjen VI të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste në Brione më 1966, serbët e sunduan shtetin në mënyrë shumë të egër. Por, në mbledh­jen në fjalë, Tito i pat qëruar hesapet me A. Rankoviqin dhe u lirua prej tij. Me këtë serbët deri me vdekjen e Titos, pritnin ta ngrenë zërin e pakënaqësisë kundër tij dhe popujve joserbë.
Pas vdekjes së Titos ultranacionalistët-komunistët serbë të bash­kuar me ultranacionalistët-shovinistët-antikomunistët, përhap­nin propagandë të fëlliqur kundër Titos, i cili me planet e veta “e robë­roi popullin serb dhe Republikën e Serbisë”, dhe tani pa kurrfarë hezitimi, ishte koha që kjo gjendje të mos tolerohet më. Fushatat e revoltës së “popullit të nënshtruar serb” shkaktuan situatën që të zhvillohet luftë e përgjakshme kundër muslimanëve dhe kroatëve, si dhe sllovenëve, me sulmet e hapta në këto tri republika. Në ndër­kohë, Krahina e Kosovës u sulmua me një ashpërsi të paparë dhe u okupua nga ana e armatës dhe policisë serbe më 1989, me të cilën gjë u abolua autonomia e Kosovës dhe u shtrua nën thundër populli shqiptar dhe popujt tjerë muslimanë, duke filluar me persekutime, vrasje, gjykime kundër rinisë shqiptare-muslimane në përgjithësi, si dhe kundër popujve tjerë joserbë, sidomos të rinjtë dënoheshin me 3-20 vjet burgim të rëndë. Në anën tjetër, më shumë se 290 veta u vranë në burgje, në armatë, në rrugë, dhe ky avaz vazhdon ende deri në ditët tona. Jemi të sigurt se prej vitit 1981 e deri në ditët e sotme, më se 20.000 shqiptarë janë dënuar me burgime deri më 20 vjet, rreth 700.000 kanë pasur punë me policinë dhe janë rrahur e torturuar, kështu që, kjo edhe sot është një lloj dukurie e përditshme e policisë serbe. Është ditur se planet serbe pëgatiteshin për të shkaktuar trazira në ish-Jugosllavi shumë kohë më herët, dhe opinioni i gjerë ishte në dijeni për këto plane djallëzore të nacional-shovinistëve serbo-sllavë.
 
Prezentimi i shkurtër i zhvillimit shoqëror-ekonomik të Kosovës
 
Pas Luftës së Parë Botërore, Kosova hyri në kuadër të Mbretërisë Jugosllave (serbo-sllave), duke qenë visi më i pazhvilluar i saj. Sistemi sllavo-serb pengonte zhvillimin normal të Kosovës me anë të masave administrative. Ky rajon konsiderohej si trevë e banuar nga popullata ‘armike’ shqiptare. Prapambeturia e Kosovës nuk ishte vetëm si pasojë e politikës së vrazhdë të shovinistëve serbë por edhe si trashëgimi e kohës së gjatë të sundimit të administratës turke në këto vise. Në fushën ekonomike prapambeturia shprehej sidomos në segmentin e bujqësisë ekonomike, në shkallën e ulët të zhvillimit industrial, në mungesën e shfrytëzimit të resurseve ener­gjetike dhe në mungesën e rrjetit rrugor modern. Në fushën e kul­turës dhe arsimit ndihej mungesa e madhe e objekteve të shkollave fillore dhe atyre të mesme, mungesa e kujdesit të mjaftueshëm për fëmijët dhe rininë shqiptare, po ashtu edhe shkalla e arsimimit buj­qësor të popullsisë ishte shumë e ulët ndërsa shkalla e analfabe­tizmit mjaft e lartë. Trepça ishte kompleksi i vetëm industrial në Kosovë por punëtorët e kësaj industrie ishin më shumë të lidhur për bujqësi dhe jetonin me një mentalitet rural. Në Mbretërinë Jugosllave shqiptarët ishin në gjendje shumë të vështirë. Pos që nuk u jepnin të drejta themelore demokratike dhe kombëtare, sho­vinistët serbo-sllavë kishin për detyrë edhe t'i asimilojnë dhe t'i shkombëtarizojnë sikurse popujt tjerë muslimanë në Bosnjë, Sanxhak, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Gjatë periudhës komuniste të pasluftës, Krahina e Kosovës u shpall Krahinë Autonome,por në suazat e Serbisë, edhe pse shqiptarët në të kaluarën kanë patur një jetë të vështirë me serbo-sllavët, të krijuar nga ultra-nacionalistët serbo-sllavë të cilët shërbenin Titon në stilin tipik të shërbëtorëve komunistë. Në këtë periudhë të pasluftës zhvillimi ekonomik i Kosovës karakterizohej si më i avancuari. Falë industrializimit modest që ishte orientim kryesor ekonomik, i bazuar në resurset dhe energjinë lokale, u bënë disa ndryshime në strukturën e industrisë dhe bujqësisë. Në kohë të fundit, gjithsej të punësuar ishin rreth 270.000 veta (më 1990), ndër të cilët 180.000 ishin të kombësisë shqiptare(!). Industria u bë bartëse për krijimin e vlerës së prodhimit shoqëror dhe për punë­simin e njerëzve, por vetëm gjatë viteve 70-të shkalla mesatare e rritjes së prodhimit industrial ishte 11.8%. Baza themelore e zhvillimit të industrisë dhe e industrializimit mbështetej në lëndët e para të pasura. Kështu, si industri me rëndësi të veçantë u bë prodhimi i energjisë elektrike dhe shfrytëzimi i thëngjillit, industria kimike po ashtu mbështetej në lëndën e parë të vendit, industria e pëlhurave, penjve, perdeve, qilimave dhe në përgjithësi ajo e teks­tilit, e përpunimit të prodhimeve ushqimore dhe agrikulturore, u intensifikuan në periudhën e përmendur. Megjithatë, edhe pse në Jugosllavi si tërësi u arritën rezultate të kënaqshme në zhvillim, Kosova ende mbeti si rajon më i pazhvilluar i saj, me shkallë më të ulët të punësimit (çdo i 11-ti banor), me shkallë të ulët të akumu­limit dhe riprodhimin e kapaciteteve ekonomike, për arsye të bor­xheve që kishte ndaj asociacioneve të vendit dhe atyre të jashtme, me shkallë të ulët të aktiviteteve shoqërore, etj. Në vitin 1990 prodhimi shoqëror për frymë banori në Kosovë përfshinte vetëm 20% të atij të vendit (më 1980 ishte 27%), gjithnjë duke treguar rënie, kështu që Kosova e përjetoi shkatërrimin e Jugosllavisë si ra­jon më i pazhvilluar i saj. Në ndërkohë, prej 1989-1994 u për­jashtuan nga puna më se 150.000 shqiptarë dhe e gjithë kjo masë e popullit u gjend në rrugë.
Politika e atëhershme zhvillimore e Kosovës u bë me anë të theme­limit të fondeve materiale, dhe “kjo u arrit me krijimin e kushteve të përshtatshme për zgjerimin e bazës ekonomike, sikurse për zhvi­llimin e industrisë dhe të kapaciteteve përpunuese”.
Rritja e numrit të kuadrit arsimor dhe ndërtimi i objekteve të nevoj­shme për këto nevoja, krijoi kushtet për zgjerimin dhe zhvillimin më intensiv të arsimit në të gjitha ciklet, të shkencës, kulturës, dhe për krijimin e vlerave të reja të kulturës humane, të prodhimit ma­terial dhe të relacioneve shoqërore. Të gjitha këto u sendërtuan për arsyetimin e sistemit dhe ideologjisë komuniste, për të cilën gjë kërkohej themelimi i qendrave të ndryshme arsimore prej shkollave fillore deri te ato sipërore, i instituteve të kërkimeve shkencore deri te Universiteti në Prishtinë, dhe Akademia e Shkencave. Në shko­llat fillore, të mesme dhe në Universitet arsimimi zhvillohej në dy gjuhë: në shqipe dhe serbokroate. Krahas rritjes së shkollave dhe numrit të nxënësve e të studentëve, edhe kërkesat tjera gradualisht plotësoheshin, sikur bie fjala, kur ishte çështja e hapësirave shko­llore dhe numrit të edukatorëve. Numri i përgjithshëm i nxënësve arriti rreth 460.000, ndërsa në Universitet me dhjetë fakultete dhe katër akademi pedagogjike, kishte rreth 42.000 studentë. Në kohë të njëjtë, ishte aktiv edhe Radio-Televi­zioni i Prishtinës ku zhvi­lloheshin programe në tri gjuhë: në shqipe, serbokroate dhe turke, botoheshin gazetat e përditshme, si “Rilindja” dhe disa revista në gjuhën shqipe, e po këso gazeta dhe botime botoheshin edhe në gjuhën serbokroate dhe atë turke.
Ky zhvillim i arsimit, i shkencës, i aktiviteteve të shtypit dhe i mje­teve të komunikimit, pikësëpari i ka kontribuar çështjes së regjimit komunist, zhvillimit të propagandës së sistemit komunist dhe përparësisë së tij si rend shoqëror i cili “do ta përfshijë gjithë botën”, dhe për qëllim të vetëm: të prodhohen aso qenie njerëzore, pa kurrfarë dyshimi, me tru të shpëlarë dhe të tjetërsuar, që nuk kanë vetëdije dhe qëndrim të vetin për ta gjetur rrugën e drejtë të mendimit vetjak rreth rolit të religjionit që ka për jetën njerëzore.
 
Popullsia e Kosovës
 
Popullsia shqiptare paraqet strukturën dërrmuese të banorëve të Kosovës (90%). Gjuha shqipe i takon grupit të gjuhëve indo­evro­piane, e cila nuk ka asnjë ngjashmëri me grupet e tjera gjuhësore të Evropës. Rrjedh dhe është zhvilluar nga gjuhët e fiseve ilire me disa trase të gjuhës latine.
Përbërja e popullsisë së Kosovës rrjedhimisht ka ndryshuar gjatë periudhave historike. Ilirët e vjetër në fillim të shekullit II të e. së re, në pjesë të madhe iu nënshtruan romakëve, kurse në fund të shekullit VII fiset sllave u dukën rreth Danubit ku edhe u vendosën.
Të dhënat demografike të kësaj treve na tregojnë se Kosova para­qet një rajon shumë specifik demografik në raport me viset e tjera të ish-Jugosllavisë. Një prej vetive kryesore demografike të kësaj treve është shkalla shumë e lartë e rritjes së popullsisë, fuqisë ri­prodhuese të saj në raport me viset e tjera të ish Jugosllavisë. Numri i popullsisë së Kosovës gjatë 90 viteve të fundit u shtua për 6,8 herë, ai i Serbisë për 3,0 herë, kurse i Vojvodinës për 2,0 herë. Lëvizjet demografike kaq të mëdha janë rrjedhojë e shkallës shumë të lartë të lindshmërisë (natalitetit) dhe të rritjes natyrore, me pre­valencë të strukturës gjinore mashkullore dhe me strukturë shumë të re të popullsisë. Shkalla e natalitetit është më e larta në Evropë (35.6‰), falë, pos faktorëve të tjerë, rënies së shkallës së vdek­shmërisë (8.0‰), kështu që rritja vjetore mesatare e popullsisë lëvizë shumë shpejtë (2.7%) si më e lartë në Evropë, sikurse që është edhe shkalla e lindshmërisë.
Shpejtësia e rritjes së popullsisë kosovare mund të ilustrohet në mënyrë siç vijon më poshtë:
 

Viti
1900
1910
1920
1930
1940
1948
1961
1971
1981
1991
1993
Popullsia
(000)
378
457
488
552
667
773
964
1245
1584
2150
2300
Shkalla e rritjes
100
125
115
146
176
193
255
329
419
568
688
Numri i anëtarëve për familje
-
6.20
5.71
5.08
6.30
6.36
6.32
6.61
6.92
-
-

+ Për vitin 1993 është marrë baza e përçmimit. Burim: Enti Statistikor i Kosovës
Rritja vjetore kumulative e popullsisë së Kosovës arrin rreth 50.000 banorë, dhe kështu, për 10 vjet ajo është rritur për 500.000 banorë, që do të thotë, gati sa sot që ka banorë Mali i Zi, ose, gjatë një viti rritja e popullsisë së Kosovës është ekuivalente numrit të popullsisë së ndonjë qyteti të Kosovës (p.sh. Ferizaji, Gjilani, Vushtrria, etj.). Në të gjitha periudhat dallohej rritja e popullsisë së fesë islame, dhe kurrën e kurrës, popullsia serbe në Kosovë nuk ka paraqitur strukturë magjorance ndaj shqiptarëve, edhe pse deri më 1945 janë bërë katër kolonizime të tyre në Kosovë. Një rritje e tillë e popullsisë ka qenë e mundur vetëm në bazë të rrethanave të caktuara: Është i njohur fakti se shqiptarët në Kosovë në masë dërrmuese i takojnë fesë islame (Sunni muslimanë, 100%), dhe 3,0% i takojnë fesë katolike.
Rritja vjetore e përgjithshme e popullsisë në ish-Jugosllavi ka qenë rreth 140.000 banorë, por 41% prej kësaj shume i takonte popull­sisë shqiptare. Në Kosovë vie në shprehje vitaliteti i lartë i popu­llatës me shkallë të rritjes vjetore prej 2,7%, sidomos kjo shprehet në periudhën e pasluftës, më e madhe se në vendet që janë në proces të zhvillimit si: Algjeria (2.2%), Egjipti (2.3), Maroko (2.2), Meksiko (2.4), Shqipëria (1.9), Sierra Leone (2.5), Tunizia (2.1), Mjanmar-Birmania (1.9), Sri Lanka (1.5%), etj. etj.
Gjatë periudhës së pasluftës, deri më 1966, Kosova ka patur shka­llën më të lartë të natalitetit (42‰) me tendencë të zvogëlimit të shkallës së mortalitetit (8.0‰), gjithmonë më të lartë në raport me Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë. Fuqia e regjenerimit të popull­sisë së Kosovës tregon për faktin se kjo trevë me këto komponente i ngjanë Evropës së fundit të shekullit XIX. Në një periudhë jo fort të largët, si veçanti e fshatarësisë së Kosovës ishte fakti se bujku ka patur në dispozicion një fond toke relativisht të mjaftueshëm, dhe në këso rrethana sipërfaqet e pronave të tokës kanë mund të tole­rojnë një rritje aq të madhe të popullsisë, por në rrethana aktuale kjo dukuri në fshat paraqet problem të veçantë socio-ekonomik kosovar.
Prej vitit 1968, rritja mesatare vjetore e popullsisë së Kosovës ishte gjithnjë më e lartë se në Serbi, ose së bashku më e madhe se e Kroacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi, dhe shtatë herë më e madhe se e Vojvodinës. Kosova ka qenë në gjendje të mbajë një rritje të tillë edhe pse një numër i madh i popullsisë shqiptare, boshnjake, turke, duke filluar prej vitit 1921 dhe gjatë regjimit komunist 1955-1966, ka emigruar në Turqi. Vetëm prej Kosove, gjatë periudhës së pasluftës, mendohet se në Turqi kanë emigruar rreth 270.000 bano­rë, por shkalla e lartë e natalitetit të popullsisë ka qenë në gjendje ta kompensojë numrin e popullsisë dhe ta zvogëlojë shpejtësinë e rënies së rritjes. Fuqia, pra, e një rritjeje të tillë të popullsisë ishte pasojë e shkallës së lartë të lindjeve, dhe kjo tendencë në të ardhmen, si dukuri objektive, është e paraparë në planet e studi­meve të Kosovës.
Distribuimi i popullsisë në trevën e Kosovës tregon për faktin se në shtatë qendra më të mëdha urbane është koncentruar 1/3 e popull­sisë së përgjithshme, sikurse në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan. Në periudhën e fundit rritja e popull­sisë në qytetet e përmendura është rezultat i rritjes natyrore të po­pullsisë, por më tepër për arsye të popullsisë së transferuar nga arealet rurale (rritja mekanike), dhe më pak për arsye të zhvillimit të aktiviteteve socio-ekonomike (kulturore, adminis­tra­tive, indus­triale, arsimore, etj.). Prishtina, si kryeqendër e Kosovës, aktualisht numëron rreth 230.000 banorë (si qendër industriale, tregtare dhe universitare). Nga ky numër i banorëve, rreth 20% i takon struk­turës serbo-malazeze, në Prizren prej 106.000 banorëve 10% i takon strukturës serbo-malazeze, në Pejë prej 95.000 banorëve këtyre u takojnë 22%, në Mitrovicë prej 86.000 banorëve kësaj strukture i takon 20%, në Gjakovë prej 53.000 banorëve, serbo-malazezëve i takon 6%, në Gjilan prej 43.000 banorëve strukturës së përmendur i takon 14%, në Ferizaj prej 42.720 banorëve, serbo-malazezëve i takon 13%.
Qendrat tjera më të vogla urbane, ekonomike dhe administrative si: Vushtrria, Rahoveci, Podujeva, Kamenica, Vitia, Kaçaniku, Istogu, etj., të cilat kanë 6.000-20.000 banorë, kanë nga më se 90% banorë të përbërë prej shqiptarëve, derisa të tjerët i takojnë serbo-mala­zezëve dhe popujve të tjerë të Kosovës. Përndryshe, përpos popull­sisë së komunës së Leposaviqit, e cila ka rreth 17.000 banorë, vetëm 4.0% i takon strukturës shqiptare, në Shtërpcë prej 6950 banorëve, 6.0% janë shqiptarë, në Zubin Potok prej 4.600 banorëve dhe në Zveçan (4.300 banorë të komunës) është po ashtu domi­nante struktura serbo-malazeze e popullsisë. Në këto tri komuna gjithsej ka rreth 30.000 banorë.
Nëse e numërojmë numrin e përgjithshëm të shqiptarëve, musli­manëve boshnjakë-goranë (më se 120.000 banorë), madje turqit e deklaruar (rreth 12.580), jevgjit-muslimanë, mund të konfirmojmë faktin se në Kosovë rreth 93% të popullatës i takon strukturës muslimane.
Më në fund, këtë material e kemi parashtruar me faktologji të du­hur para lexuesit, të cilit ia kemi bashkangjitur SHTOJCËN-DOKUMENTACIONIN FAKTOGRAFIK konform të dhënave të regjistrimeve të popullsisë së Kosovës për vitin 1961, 1971, 1981. Në këto gjendet struktura konkrete e popullsisë relevante të të dhënave zyrtare të përmendura sipas komunave të Kosovës për secilin lokalitet (vendbanim), lëvizjet e popullsisë gjatë 30 viteve për secilin qytet dhe vendbanim dhe për çdo komunë. Duhet gjith­ashtu njoftuar opinionin se të dhënat e shtruara në këtë material janë pjesë e rezultateve të regjistrimeve të popullsisë në ish-Jugosllavi, në të cilën kanë qenë pjesë përbërëse republikat dhe Krahina Autonome e Kosovës dhe e Vojvodinës.
Të dhënat statistikore për vitin 1991 për Kosovë nuk ka qenë e mundur t'i fusim në këtë material për arsye se shqiptarët dhe shumë pjesëtarë të turqve dhe muslimanëve të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, as në votimet e efektuara nga ana e pushtetit shovinist serb më 1991, 1994, në shenjë të demonstrimit të pakënaqësisë ndaj politikës shtypëse të pushtetit serb kundër shqiptarëve dhe popujve të tjerë muslimanë të Kosovës. Aq më tepër, shqiptarët më 2 korrik të vitit 1990 kanë bërë zgjedhjet separate nga pushteti serb duke zgjedhur deputetët dhe Parlamentin e tyre të Pavarur, kurse më 1992 i kanë bërë zgjedhjet e veta kur është shpallur Kosova Republikë, kryetari i Republikës dhe Qeve­ria. Shqiptarët nuk kanë pranuar pushtetin e dhunës nga ana e Ser­bisë të imponuar në vitin 1990, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës nga ana e pushtetit okupues serb.

 

[1]     Sanxhaku ka një sipërfaqe prej 8.687 km,2, ku jetojnë afër 450.000 banorë (86% muslimanë), është i përbërë nga 11 komuna, kryeqendër është Jeni Pazari me afër 76.000 banorë (87% muslimanë).
 
 
 
  Today, there have been 1 visitors (3 hits) on this page!  
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free